Në vitin 2000, Fondacioni i Samitit Botëror të Grave (WWSF), një organizatë joqeveritare, shënoi Ditën Botërore për Parandalimin e Abuzimit të Fëmijës më 19 nëntor. Ky fondacion, së bashku me një koalicion ndërkombëtar të organizatave avokuese për gratë dhe çështjet e fëmijëve, mobilizuan qeveritë dhe shoqëritë për të ndërmarrë veprime dhe për të parandaluar abuzimin e fëmijëve. Në 2001, shumë shtete u bashkuan për të shënuar këtë ditë duke kontribuar në dhënien e këshillave për identifikimin dhe parandalimin e abuzimit të fëmijës.
Shënimi i kësaj dite ndërlidhet edhe me përvjetorin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës (20 Nëntor) dhe ka për qëllim të mobilizoj të gjithë rreth çështjes së abuzimit të fëmijës dhe nevojës për programe urgjente parandaluese efektive. Në vitin 2001, koalicioni ndërkombëtar i OJQ-ve bashkoi 149 organizata në më shumë se 60 vende të botës ku secila organizatë shënoi Ditën me aktivitete dhe ngjarje lokale ose kombëtare. Në vitin 2009 fushata u zhvillua nga 785 organizata nga 127 vende nga e gjithë bota.
Kjo fushatë filloi këtë vit edhe në Kosovë. Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me Qendra për Studime të Avancuara (FIT) do të shënojnë për tri vite me radhë këtë ditë në kuadër të projektit “Së bashku kundër abuzimit të fëmijës - TACA”, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Instrumentit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR). Ky projekt ka filluar të zbatohet në shkurt të vitit 2020 dhe ka për qëllim të sigurojë që të gjithë fëmijët të trajtohen me respekt të plotë për dinjitetin dhe të drejtat e tyre duke promovuar mjedis pa abuzim në shkollat e Kosovës.
Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe Qendra për Studime të Avancuara (FIT) fushatën e filluan duke mbledhur mesazhe dhe punime kundër abuzimit nga nxënësit e shkollave përfituese të projektit dhe duke i shpërndarë ato në faqe të internetit, duke dhënë informacione rreth rëndësisë që ka kjo ditë dhe, duke krijuar partneritet me institucionet shtetërore që punojnë për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijës.